Kurti uron Shiroka-Pulën: Kosova ka presidente të re dhe institucione stabile

Kurti uron Shiroka-Pulën: Kosova ka presidente të re dhe institucione stabile

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të re të Kosovës, duke thënë se me këtë vendi ka institucione stabile.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se bashkë me zgjedhjen e presidentes është miratuar edhe ligji me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë.

“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se do të punohet bashkë për suksesin në apel të ish-krerëve të UÇK-së.

Kurti ka falënderuar deputetët që morën pjesë në votim, si dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit.

“Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.

Në fund, ai ka uruar presidenten e re dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar, mbrëmë në mesnatë, Justina Shiroka-Pulën për presidente të Republikës së Kosovës. Në votim kanë marrë pjesë 84 deputetë. Justina Shiroka-Pula ka marrë 81 vota, Eliza Hoxha një votë, ndërsa dy deputetë kanë abstenuar. Me 81 vota, Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Kosovës.

Share This