Pas Zvicrës, edhe Gjermania kundër Infantinos: DFB nuk do ta votojë

Pas Zvicrës, edhe Gjermania kundër Infantinos: DFB nuk do ta votojë

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka konfirmuar qëndrimin e saj kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke bërë të ditur se nuk do ta mbështesë rizgjedhjen e tij në krye të organizatës botërore të futbollit.

Pas Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV), edhe gjermanët kanë marrë një qëndrim të qartë ndaj Infantinos. Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, ka deklaruar se besimi ndaj kreut të FIFA-s është dëmtuar ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit.

Në një intervistë për “Tagesspiegel”, Neuendorf konfirmoi se DFB-ja ka marrë vendim unanim për të mos e votuar Infantinon në Kongresin e FIFA-s.

“Pozicioni i tij si president i FIFA-s nuk është më i qëndrueshëm. Kohët e fundit jam distancuar qartë prej tij. Në komitetin ekzekutiv të DFB-së kemi vendosur zyrtarisht dhe në mënyrë unanime që të mos e rizgjedhim në Kongresin e FIFA-s në mars”, deklaroi Neuendorf.

Sipas Federatës Gjermane, ngjarjet që kanë ndodhur gjatë dhe pas Kampionatit Botëror kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me Infantinon dhe kanë bërë që besimi ndaj tij të humbasë.

“Duhet ta largojmë atë nga fusha e lojës”, është shprehur DFB-ja, duke e bërë të qartë pozicionin e saj për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s.

Megjithatë, deri tani nuk është paraqitur asnjë kandidat rival përballë Infantinos. Afati për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjet që do të mbahen më 18 mars përfundon më 18 nëntor.

Nëse nuk shfaqet një kandidat tjetër deri në përfundimin e afatit, Infantino do të mbetet pa një kundërshtar në garën për një mandat të ri në krye të FIFA-s, pavarësisht qëndrimeve kritike të disa prej federatave të rëndësishme evropiane.

Share This