Protestë para Kuvendit, shqyrtohet Ligji për Dhomat e Specializuara

Protestë para Kuvendit, shqyrtohet Ligji për Dhomat e Specializuara

Një nga organizatorët e protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka ftuar qytetarët që sot nga ora 08:00 të mblidhen para Kuvendit, para fillimit të seancës ku pritet të shqyrtohet ligji që mbron UÇK-në.

“Ne do të qëndrojmë jashtë, të bashkuar, për të pritur zbardhjen e ditës dhe për t’i pritur sy më sy deputetët që do të hyjnë në seancën e Kuvendit”, deklaroi dje Haziri.

Ai ftoi qytetarët që t’u bashkohen protestuesve gjatë natës dhe të mblidhen sot nga ora 08:00, ndërsa protestën masive e paralajmëroi për orën 08:30.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se protesta e paralajmëruar për sot para Kuvendit të Kosovës do të nisë në ora 09:00, raporton rtk.

Në njoftimin e djeshëm të kësaj organizate thuhet: “… në ora 09:00, shihemi në shesh, para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk duam favore. Duam mbrojtje shtetërore.”

Protesta mbahet në ditën kur në Kuvend do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare, në ora 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Share This