
BE-ja për Banjskën: Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë
Në përvjetorin e tretë të sulmit terrorist në Banjskë, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen që përgjegjësit të përballen me drejtësinë, ndërsa ka shprehur keqardhjen që Serbia ende nuk është marrë me ndjekjen penale të autorëve.
Një zëdhënës i BE-së ka konfirmuar se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e ka ngritur këtë çështje rishtazi, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje është pezull prej një kohe të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesë”, ka porositur zëdhënësi i BE-së.
Ai rikujtoi se Brukseli vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit për këtë sulm të tmerrshëm të mbahen përgjegjës dhe shprehu keqardhjen që, deri më sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuza përkatëse, të personave që ndodhen në Serbi.
Sulmi i 24 shtatorit të vitit 2023, sipas Bashkimit Evropian, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. /rtk/

