
Haxhiu: Sakrifica e Afrim Bunjakut bëri që plani i Serbisë të dështonte
Në Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut kushtuar heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.
Bunjaku u vra më 24 shtator 2023, gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit, institucionet e Kosovës kanë zhvilluar edhe vizitë te familja e tij dhe homazhe te varri në Samadrexhë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se sakrifica e Afrim Bunjakut dhe e policëve të tjerë bëri që, sipas saj, të dështojë ajo që e cilësoi si plan të Serbisë.
“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e heroit Afrim Bunjaku, por edhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë ku ai ra, do të dijë më shumë se çfarë ka ndodhur atë ditë, cilat ishin planet e Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Ajo kërkoi gjithashtu nga partnerët ndërkombëtarë që, sipas saj, t’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se përballja në Banjskë ishte një nga betejat e rëndësishme për institucionet e Kosovës.
“Në këtë vend u zhvillua një ndër betejat më të rëndësishme. Shteti u ballafaqua me sulm terrorist e shteti doli fitimtar”, tha Sveçla.
Sipas tij, sakrifica e Afrim Bunjakut dhe angazhimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës mundësuan përballimin e grupit të armatosur.
Sveçla tha se pas zhvillimeve në veri, institucionet kanë mundur të ndërmarrin edhe veprime të tjera, përfshirë identifikimin e personave të zhdukur dhe zbulimin e varrezave masive.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se nata e 23 dhe 24 shtatorit 2023 ishte një nga periudhat më të rënda për Policinë dhe shtetin e Kosovës.
Hoxha deklaroi se grupi i armatosur ishte i pajisur me armatim të rëndë dhe, sipas tij, kishte mbështetje nga autoritetet e Serbisë.
“Atë natë ra heroikisht heroi ynë Afrim Bunjaku dhe po ashtu kolegët e tjerë që u plagosën këtu gjatë ballafaqimit me grupin terrorist”, tha Hoxha.
Ai vlerësoi angazhimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe tha se institucionet kanë tashmë kapacitete më të mëdha për përballimin e situatave të tilla.
Hoxha theksoi se vendosja e obeliskut synon që sakrifica e Bunjakut të kujtohet edhe nga brezat e ardhshëm.
“Çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet është i destinuar për të dështuar. Kosova, Policia e Kosovës, institucionet tona nuk po i harrojnë”, deklaroi ai.
Programi përkujtimor për trevjetorin e rënies së Afrim Bunjakut do të përmbyllet me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet në mbrëmje në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. /rtk/

