
Trump ua ndalon hyrjen tri mediave të mëdha në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se CNN, MS NOW dhe Politico do të ndalohen “menjëherë” nga Shtëpia e Bardhë, duke përshkallëzuar përplasjen e tij me mediat.
Në një postim në Truth Social, Trump i akuzoi këto media se vazhdimisht publikojnë ose raportojnë “fiksione dhe gënjeshtra” për administratën e tij, por nuk paraqiti shembuj konkretë të raportimeve që, sipas tij, kanë çuar në këtë vendim.
Trump më vonë e përshkroi masën si një “ndalim shumë të thjeshtë”, pa sqaruar se si do të zbatohej ajo dhe nëse gazetarëve të këtyre mediave do t’u ndalohej hyrja në territorin e Shtëpisë së Bardhë.
CNN e cilësoi njoftimin si një “sulm të paligjshëm” ndaj lirisë së shtypit në SHBA dhe paralajmëroi se çdo ndalim i tillë mund të përballet me sfida ligjore.
Pavarësisht njoftimit të Trumpit, gazetarë të CNN dhe Politico vazhdonin të qëndronin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë menjëherë pas deklaratës.
Ndërkohë, një ekip i CNN po udhëtonte me nënpresidentin JD Vance për dhe nga një aktivitet në Iowa, transmeton Klankosova.tv.
CNN deklaroi se do të mbështesë ekipin e saj në Shtëpinë e Bardhë dhe të drejtën për të raportuar pa pengesa apo ndërhyrje nga qeveria.
Edhe Politico tha se do të vazhdojë të raportojë për administratën Trump dhe se do t’i mbrojë të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
MS NOW, që më parë njihej si MSNBC, nuk pranoi të komentojë mbi njoftimin.
Edhe Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë reagoi ndaj deklaratës së presidentit. Presidentja e saj, Jacqui Heinrich, tha se organizata qëndron në mbrojtje të gazetarëve që, sipas saj, po veçohen për kryerjen e detyrës së tyre.
Heinrich theksoi se çështja nuk lidhet vetëm me të drejtat e gazetarëve, por edhe me të drejtën e publikut amerikan për të marrë një pasqyrë të plotë dhe të pavarur të veprimtarisë, politikave dhe vendimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

