
`Marshi për Liri` mbahet nesër në Prishtinë, `Liria ka Emër` shpalos programin
Një ditë para se në Prishtinë të mbahet “Marshi për Liri”, platforma “Liria ka Emër” ka mbajtur konferencën e fundit për medie.
Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, shpalosi programin e të këtij organizimi.
“Në emër të platformës “Liria ka Emër”, do të flasin unë dhe Ismaili, do ta hapim pjesën formale të marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Në emër të dëshmorëve, si fëmijë i dëshmorëve, do të flasë Lirjona Sylejman, e bija e dëshmorit Bajram Sylejmani. Qytetarëve po ashtu do t’u drejtohet edhe Bedri Hamza, si dhe e bija e Sali Mustafës, Buna Mustafa”, njoftoi ajo, raporton rtk.
Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, nga Prishtina u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në marshin paqësor.
“Angazhimi ynë vazhdon edhe pas 12 shtatorit. Më 15 shtator, nga ora 22:00, do të mblidhemi në Hagë, në “Natën e Pritjes”. Do të qëndrojmë së bashku gjatë natës, deri në mëngjesin e 16 shtatorit, kur nis seanca e gjyqit, të cilën do ta përcjellim së bashku. Nga Prishtina në Hagë, mesazhi ynë mbetet i njëjtë: të jemi bashkë, të ruajmë kujtesën dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në momentet që kanë rëndësi për ne. Prandaj, sot ua drejtojmë ftesën të gjithë qytetarëve: Bashkohuni me ne më 12 shtator, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” Mos ejani vetëm. Ejani me familjet tuaja. Merrni me vete fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë tuaj. Le të jetë ky një marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz”, shtoi ai.

