
Daut Haradinaj kritikon Kurtin: Republika është mbi ty e secilin prej nesh
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve.
Përmes një reagimi, Haradinaj ka kritikuar politikat e Qeverisë, duke pretenduar se ato, së bashku me qasjen ndaj opozitës dhe rregullave të demokracisë parlamentare, tregojnë për synimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Albin Kurti e ka problem të madh Republikën e 17 shkurtit 2008, andaj po e sulmon dhe po synon ta shpërbëjë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka deklaruar se Republika e Kosovës nuk duhet të shërbejë si “laborator eksperimental”, ndërsa ka akuzuar Kurtin edhe për shmangie nga Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Brukselit.
Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë që, sipas tij, të ndalë politikat që dëmtojnë shtetin.
“Albin, Republika është mbi ty e secilin prej nesh. Mjaft me politika meskine që e dëmtojnë shtetin”, ka shkruar ai.

