
Haradinaj: Zgjedhjet e reja janë skenar i Kurtit, frikësohet nga bashkëqeverisja
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike në vend janë pjesë e një skenari të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ta çuar Kosovën në zgjedhje të reja, në muajin dhjetor.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj tha se Vetëvendosja i ka pasur votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit edhe më herët, por sipas tij, kjo nuk është bërë me qëllim të konsumimit të afateve.
“Këto 62 vota me të cilat është zgjedh Albulena, këta i kanë pasur edhe me 9 korrik. Pra dy muaj më herët kanë mundur me e kryer këtë pjesë dhe me gjithë qeverinë i kanë këto 62 vota. Pse nuk e kanë bërë? Për shkak që vyjnë me i vazhduar etapat në mënyrë që shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 45 ditë bëhet, të afrohet dhjetori”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se, sipas tij, zhvillimet e tjera politike dhe procedurat që po ndodhin aktualisht shërbejnë për të shtyrë kohën deri në një datë zgjedhjesh që i konvenon Kurtit.
“Çdo gjë tjetër që shohim është vetëm me e mbulu kohën edhe procesin që po i duhet këtij që me i çu zgjedhjet në datën që ky po do”, u shpreh ai.
Haradinaj tha se Kurti, sipas tij, preferon zgjedhjet e reja për shkak të frikës nga bashkëqeverisja dhe ndarja e përgjegjësive me partitë e tjera.
“Pse në zgjedhje? Për shkak se Kurti, regjimi i tij frikësohet me bashkëqeveris, frikësohet me i nda përgjegjësitë. Ai në situatën me bashkëqeveris ose me i nda përgjegjësitë apo me shku në zgjedhje e ka deklaruar çdo herë dhe po e bën. Shkon në zgjedhje prapë e ka një përparësi kur po shkon në zgjedhje që ai zgjedhjet i bën me buxhetin e Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

