
Kurti: Simiqi e ka deponuar propozimin për nënkryetar në përputhje me Kushtetutën, ajo që deklaroi ishte në shpërputhje
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se deklarimi i deputetit të Listës Srpska, Igor Simiq, i cili propozimin për nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiq, e bëri “në emër të popullit serb”, ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ai tha se ndryshe nga deklarimi në Kuvend, propozimi i dërguar me shkrim nga Lista Srpska ka qenë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Siç e tha kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që e ka bërë. Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Propozimin që ka deponuar e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë që e deklaroi ishte në shpërputhje. Kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i komandantit dhe gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë, që u nderua nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe”.
“Sido që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai propozim që u deklarua, vetëm ai propozimi që u dërgua me shkrim është në përputhje me Kushtetutën. Duhet ta kemi dakordimin për nënkryetarët dhe shpresoj që këtë ta arrij sa më parë me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun”, tha ai.

