
Hoti: LDK ka nevojë urgjente për një pajtim të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar organizimin e një “Konvente të madhe të Pajtimit” brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, me synimin për të qartësuar rrugën e partisë drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti ka thënë se në këtë Konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat dhe potenciali politik i LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, në Konventë duhet të mblidhen anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm, Grupi Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor.
Hoti ka vlerësuar se Konventa duhet të shërbejë si një “bashkim i madh” dhe si një moment i ri për LDK-në.
“Konventa duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar veçanërisht nevojën për rikthimin e besimit brenda partisë, duke e cilësuar atë si parakusht për unitet, punë ekipore dhe sukses elektoral.
“Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka bërë të ditur se do të angazhohet për organizimin e kësaj Konvente, duke e përmbyllur mesazhin me katër fjalë “PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE.”

