
Fillon seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, deklarohet i pafajshëm
Ka filluar seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh dhe shantazh.
Sheholli është deklaruar i pafajshëm për veprat që ngarkohet në aktakuzë. “E ndjej veten plotësisht të pafajshëm për dy veprat penale të ngarkuara në aktakuzë”, ka theksuar Sheholli para gjykatës.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Mentor Neziri ka bërë të ditur se mbrojtja tërhiqet nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës.
“Ne tërhiqemi nga e drejta e hudhjes së aktakuzës. Dëshirojmë të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor, posa Gjykata ta ketë mundësinë që ta shqyrtojë këtë seancë”, ka deklaruar avokati.
Mbrojtja ka kërkuar që procedura të vijojë sa më shpejt drejt shqyrtimit gjyqësor, pa shfrytëzuar afatin 30-ditor për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.
Edhe Fatmir Sheholli, është deklaruar se heq dorë nga e drejta për të ushtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në të.
Gjykata i ka njoftuar palët se, meqë çështja do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor, rasti do të gjykohet nga një trup gjykues. Sipas Gjykatës, caktimi i anëtarëve të trupit gjykues bëhet në mënyrë automatike dhe, për këtë arsye, aktualisht është e pamundur të caktohet menjëherë data e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Palët janë njoftuar se, posa të përfundojnë këto procedura, do të informohen me kohë për datën dhe kohën e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Sheholli akuzohet për bashkëpunim me Agjencinë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA). Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij. /rtk/

