IRAN – SHBA godet tre cisterna nafte

IRAN – SHBA godet tre cisterna nafte

Ushtria amerikane goditi tre cisterna iraniane që transportonin naftë bruto, duke deklaruar se sulmet ishin një përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kundër dy anijeve patrulluese amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një destrojer i pajisur me raketa të drejtuara shmangën me sukses disa sulme iraniane, duke theksuar se asnjë personel amerikan nuk u plagos.

Sipas CENTCOM, pas sulmeve iraniane, ushtria amerikane “çaktivizoi përgjithmonë” dy cisterna nafte dhe “shkatërroi plotësisht” një të tretë.

CENTCOM pretendoi se tre cisternat iraniane ishin pjesë e një rrjeti të fshehtë shumëmiliardësh, përmes të cilit financohej IRGC-ja dhe grupet e saj aleate në rajon.

Komanda amerikane deklaroi gjithashtu se Irani nuk kishte mjete për t’i mbrojtur këto anije.

“Mesazhi për IRGC-në duhet të jetë i qartë: Nëse qëlloni mbi dy nga anijet tona, ne do të vendosim një kosto edhe më të lartë ekonomike, duke goditur tre nga tuajat”, citoi CENTCOM admiralin Brad Cooper, komandantin e saj.

Në një përditësim të mëvonshëm, CENTCOM njoftoi se njëra prej cisternave ishte fundosur si pasojë e sulmit, duke lavdëruar “saktësinë dhe profesionalizmin” e forcave amerikane.

Sipas komandës amerikane, anija M/T Kylo ishte “bashkuar me marinën iraniane në fund të detit”.

CENTCOM tha se cisterna nuk transportonte naftë në momentin e goditjes.

Një video e publikuar nga ushtria amerikane fillimisht dukej se tregonte anijen e goditur duke u anuar, përpara se të fundosej.

Deklaratat amerikane erdhën pas raportimeve të mediave iraniane për shpërthime pranë ishullit strategjik Kharg në Gjirin Persik.

Ishulli është qendra kryesore e eksporteve të naftës bruto të Iranit.

Agjencia iraniane “Tasnim” raportoi se katër raketa amerikane goditën një cisternë iraniane rreth 11 kilometra larg brigjeve të Khargut.

Sipas raportimit, nuk pati viktima dhe ekuipazhi po evakuonte anijen.

Agjencia iraniane ISNA raportoi ndërkohë se ishte goditur një anije e vogël. Ishulli Kharg ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë iraniane, pasi besohet se më shumë se 90% e eksporteve të naftës bruto të vendit kalojnë përmes objekteve të tij. /atsh/

Share This