
“Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Gjilan
Në Gjilan ka nisur të shtunën “Ora e Pritjes”, aktivitet i platformës qytetare “Liria Ka Emër”, përmes së cilës po bëhet numërimi mbrapa drejt 16 shtatorit, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në aktivitet mori pjesë Eliza Hoxha nga platforma “Liria Ka Emër”, së bashku me përfaqësues politikë, aktivistë dhe qytetarë.
Me rastin e nisjes së numërimit, në Gjilan u vendos edhe një baner gjigant me mbishkrimin: “Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”
Përmes këtij aktiviteti u përcoll mesazhi për drejtësi, liri dhe kthimin në Kosovë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar se aktivitetet do të vazhdojnë me “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

