
Trump shpalli fundin e armëpushimit, SHBA godet 90 objektiva në Iran. Teherani shënjestron bazat amerikane në Kuvajt dhe Bahrein
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi ushtria amerikane kreu një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa Teherani reagoi duke shënjestruar baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane goditën rreth 90 objektiva ushtarake në Iran, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, asete të mbikëqyrjes bregdetare, depo raketash dhe dronësh, kapacitete detare dhe infrastrukturë logjistike përgjatë vijës bregdetare iraniane.
Sipas CENTCOM, operacioni synonte të dobësonte më tej aftësinë e Iranit për të ndërmarrë sulme ndaj anijeve tregtare dhe marinarëve civilë në Ngushticën e Hormuzit. Ushtria amerikane theksoi se sulmet pasuan një tjetër operacion të suksesshëm ofensiv të zhvilluar një natë më parë.
Në kundërpërgjigje, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se kishte nisur një sulm të përbashkët me dronë dhe raketa ndaj bazave dhe objekteve ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein. Sipas transmetuesit shtetëror IRIB, objektivat përfshinin Kampin Arifjan dhe Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, si dhe Bazën Ajrore Shaikh Isa dhe bazën detare Juffair në Bahrein.
Baza e Juffair strehon Aktivitetin e Mbështetjes Detare të SHBA-së dhe është selia e Flotës së Pestë Amerikane në Gjirin Persik, duke e bërë atë një nga instalimet më strategjike ushtarake të Uashingtonit në rajon.
Autoritetet iraniane thanë se sulmet ishin një përgjigje ndaj goditjeve amerikane në provincat jugore bregdetare të Iranit dhe ndaj një ure hekurudhore në zonën e Aqqalas, në verilindje të vendit. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim publikoi informacione për dëmtimin e urës, ndërsa CNN raportoi se pamjet e gjeolokalizuara nga mediat iraniane tregojnë një urë hekurudhore të dëmtuar pranë Aqqalas. Komanda Qendrore e SHBA-së nuk ka komentuar ende mbi këtë pretendim.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Uashingtonit.
“Nëse sulmoni, do të goditeni. Amerika ende nuk e ka mësuar se provokimet dhe shkelja e premtimeve nuk janë më pa kosto”, shkroi ai në platformën X.
Ghalibaf shtoi se “Ngushtica e Hormuzit do të hapet vetëm me marrëveshje iraniane, jo me kërcënime amerikane”, duke paralajmëruar se presioni ushtarak nuk do ta detyrojë Iranin të tërhiqet.
Përshkallëzimi i fundit vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi kishte “mbaruar“, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj udhëheqjes iraniane, duke e cilësuar atë si “të qyqur”, “të ligë” dhe “llum”, deklarata që kanë rritur më tej tensionet mes dy vendeve. /rtsh/

