
Putin: Ka ende mundësi për një marrëveshje paqeje për Ukrainën
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se ende ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje paqeje që mund t’i japë fund luftës në Ukrainë. Sipas tij, vendimi përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit u takon Moskës dhe Kievit.
Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin tha se vende si Shtetet e Bashkuara dhe Kina duket se janë të gatshme të mbështesin përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit.
“Megjithatë, në fund të fundit, problemi duhet të zgjidhet nga vendet e përfshira në konflikt, Rusia dhe Ukraina. Kjo është qasja e duhur. Megjithatë, ne jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që përpiqen të kontribuojnë në një zgjidhje. A ka ndonjë mundësi? Sipas mendimit tim, po, ka”, tha Putin.
Presidenti rus pohoi gjithashtu se kanalet e komunikimit mes Rusisë dhe Ukrainës mbeten të hapura. Sipas tij, kontaktet po zhvillohen kryesisht përmes shërbimeve të inteligjencës.
Deklaratat vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, ndërsa deri më tani nuk është arritur një marrëveshje konkrete për përfundimin e armiqësive.
Pavarësisht deklaratave për një zgjidhje të mundshme paqësore, Putin përsëriti retorikën e tij të ashpër ndaj Kievit.
Ai i cilësoi paralajmërimet e Ukrainës për rreziqet me të cilat përballen avionët në hapësirën ajrore ruse si “terrorizëm shtetëror”, duke argumentuar se veprime të tilla pengojnë përpjekjet për zhvillimin e negociatave të paqes.
Në të njëjtën kohë, Putin akuzoi aleatët perëndimorë të Ukrainës se, sipas tij, po bëhen bashkëpunëtorë në “terrorizëm ndërkombëtar”, pasi nuk reagojnë ndaj veprimeve të Kievit.
Duke folur për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Putin deklaroi se kontaktet me Uashingtonin po vijojnë dhe përsëriti se Moska dëshiron rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe.
Sa i përket presidentit amerikan Donald Trump, Putin tha se beson se ai është i gatshëm për një bashkëpunim “pozitiv dhe konstruktiv”.
Deklaratat e presidentit rus vijnë ndërsa Moska përpiqet të mbajë të hapura kanalet e komunikimit me Uashingtonin, në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon. /rtsh/

