Vjosa Osmani mbështet Bekim Sejdiun për President: “Një profesionist i dëshmuar dhe njeri me integritet”

Vjosa Osmani mbështet Bekim Sejdiun për President: “Një profesionist i dëshmuar dhe njeri me integritet”

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për Prof. Dr. Bekim Sejdiun si kandidat për President të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar atë si një profesionist të dëshmuar, me integritet dhe vizion për përgjegjësinë e lartë shtetërore.
Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë për një figurë që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe përgjegjësinë që kërkon posti i Presidentit të Republikës.

“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu”, ka shkruar ajo.
Sipas Osmanit, Sejdiu është një njohës i mirë i shtetit, institucioneve dhe sfidave me të cilat përballet Kosova. Ajo ka veçuar edhe bashkëpunimin e gjatë profesional me të, duke bërë të ditur se kanë bashkëpunuar për rreth 25 vjet.
“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, është shprehur Osmani.
Në fund, ajo ka theksuar se vendimi për zgjedhjen e Presidentit i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi historike.
Osmani ka bërë thirrje që procesi të udhëhiqet nga interesi shtetëror, stabiliteti institucional, fuqizimi i aleancës euroatlantike dhe demokracia.
“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!”, ka përfunduar ajo. /Rekordi.net

Share This