Udhëheqësit evropianë në Kiev për 35-vjetorin e pavarësisë – BE miratoi 6.1 miliardë dollarë shtesë

Udhëheqësit evropianë në Kiev për 35-vjetorin e pavarësisë – BE miratoi 6.1 miliardë dollarë shtesë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, mbërritën të hënën (24 gusht) në Kiev për të marrë pjesë në festimet e 35‑vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.

Të pranishëm ishin edhe kryeministri i Luksemburgut Lik Frieden, presidentja moldave Maia Sandu dhe presidenti estonez Alar Karis, siç bëri të ditur Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha, duke postuar foto të zyrtarëve në stacionin e trenit të kryeqytetit.

Ndërkohë, Komisioni Evropian miratoi një fond shtesë prej 6.1 miliardë eurosh për Ukrainën, i destinuar për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, raketave, municioneve dhe radarëve.
Kjo paketë vjen përveç 16 miliardë eurove të miratuara më herët, nga të cilat 8.35 miliardë euro janë disbursuar tashmë.

“Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj, ne po ndërmarrim veprime për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë popullin e saj dhe qiellin e saj. Evropa qëndron me Ukrainën dhe ne do t’i ofrojmë asaj atë që i nevojitet, kur të ketë nevojë”, tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

Prania e udhëheqësve dhe konferenca e aleancës së të vullnetshëmve po zhvillohen në një moment kur presidenti Volodymyr Zelensky pritet të kërkojë përforcim të mbrojtjes ajrore.

Ai theksoi se dërgesat e raketave për sistemet Patriot janë përgjysmuar që nga viti 2023: Ukraina mori 675 raketa atë vit, krahasuar me 364 në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 parashikohen vetëm 264 raketa, megjithëse Kievi kërkon të paktën 300 përpara dimrit. Zelensky paralajmëroi se Rusia është e aftë të prodhojë rreth 100 raketa balistike në muaj. /rtsh/

Share This