
Barcelona shkatërron Elche-n, shkëlqen Raphinha
Barcelona ka regjistruar një tjetër fitore bindëse në La Liga, duke mposhtur Elchen me rezultat të thellë 5-0 në “Estadio Manuel Martínez Valero”.
Kjo ishte fitorja e 13-të radhazi e Barcelonës ndaj Elches në të gjitha garat, ndërsa katalanasit kanë fituar 11 përballjet e fundit në La Liga ndaj këtij kundërshtari.
Elche e nisi më mirë takimin dhe krijoi disa mundësi, por Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 14-të. Raphinha fitoi një penallti dhe e mori përsipër ekzekutimin, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe patën disa raste të mira për të barazuar. Eric García shpëtoi Barcelonën me një ndërhyrje vendimtare, ndërsa Ali Houary humbi një mundësi të artë përballë portës.
Barcelona e shfrytëzoi menjëherë këtë dhe në kohën shtesë të pjesës së parë dyfishoi epërsinë. Raphinha asistoi për Karim Adeyemin, i cili realizoi me një goditje të saktë për 2-0.
Në pjesën e dytë, Elche tentoi të rikthehej në lojë, por Barcelona kontrolloi ritmin. Tete Morente goditi shtyllën, ndërsa vendasit nuk arritën të shfrytëzonin rastet e tjera.
Në minutën e 69-të, Raphinha shënoi edhe golin e dytë personal, pas një aksioni të bukur të nisur nga Anthony Gordon, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Vetëm katër minuta më vonë, Gordon ishte sërish protagonist, këtë herë duke asistuar për Fermín López, i cili shënoi për 4-0.
Barcelona nuk u ndal me kaq. Fermín López realizoi edhe golin e pestë me një goditje të bukur nga brenda zonës, duke vulosur fitoren e thellë të katalanasve.
Për Elchen, kjo ishte humbja e parë në shtëpi pas tetë ndeshjesh, ndërsa Barcelona vazhdon serinë e jashtëzakonshme në La Liga, ku nuk ka barazuar në 36 ndeshjet e fundit, me 30 fitore dhe gjashtë humbje.
Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick vazhdon formën e shkëlqyer, ndërsa Raphinha ishte një nga protagonistët kryesorë të triumfit të thellë.

