
Presidenti Ademi: Kosova nuk e sheh veten si “outsider”, synimi është kualifikimi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar se Kombëtarja e Kosovës tashmë nuk e konsideron veten si “outsider” në përballjet ndërkombëtare dhe se synimi në ciklin e ardhshëm është arritja e rezultateve dhe kualifikimi.
Në një intervistë në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Ademi ka folur për grupin e Kosovës në Ligën e Kombeve, ku “Dardanët” do të përballen me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.
Sipas tij, ndeshjet e Kosovës tashmë kanë rëndësi të veçantë, pasi përveç aspektit sportiv, ato ndikojnë edhe në imazhin e shtetit.
“Secila ndeshje e Kosovës që luhet, qoftë edhe miqësore, është njëfarë forme për ne zyrtare dhe shumë e rëndësishme, sepse vlerësohet jo vetëm futbolli, por edhe shteti”, ka thënë Ademi.
Ai ka theksuar se objektivat janë të qarta, pasi Liga e Kombeve mund t’i hapë Kosovës mundësinë për ngjitje në Ligën A dhe për kualifikim në Kampionatin Evropian.
“Ne asnjëherë me këtë ekip që e kemi nuk e konsiderojmë veten outsider, por e konsiderojmë veten të barabartë. Austria është ekip shumë i fortë, ndoshta edhe më e fortë se Kosova, por ne tash e tutje kërkojmë rezultat”, është shprehur presidenti i FFK-së.
Ademi ka treguar se puna për ciklin e ardhshëm ka nisur menjëherë pas përfundimit të garave të fundit, duke theksuar se trajneri Franco Foda ka filluar përgatitjet për sfidat e ardhshme.
Ademi: Ndërrimi i gjeneratave po bëhet në mënyrën më të mirë
Duke folur për të ardhmen e Kombëtares, Ademi ka vlerësuar procesin e ndërrimit të gjeneratave, duke pranuar se zëvendësimi i futbollistëve me përvojë nuk është i lehtë.
Ai ka përmendur Vedat Muriqin, Amir Rrahmanin, Milot Rashicën, Fidan Alitin dhe futbollistë të tjerë që kanë bartur peshën kryesore të ekipit në vitet e fundit.
“Është e vështirë të zëvendësosh disa futbollistë që kanë bërë nam nëpër Evropë, si Muriqi, Rrahmani, Rashica e shumë të tjerë. Por është shumë e rëndësishme që këta futbollistë e dinë peshën dhe e duan rezultatin. Ata duan që në kohën kur janë në ekip ta çojnë Kosovën në një kualifikim dhe të hyjnë në histori”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka thënë se futbollistët me përvojë kanë një rol të rëndësishëm edhe në integrimin e të rinjve në Kombëtare.
“Kanë edhe një detyrë: këta të rinj që janë, t’i presin dhe t’i trasojnë në rrugën që ata e kanë pasur në Kombëtaren e Kosovës. Në fakt, këtë po e bëjnë”, ka shtuar ai.
Ademi për Ibrahimoviqin, Gashin dhe Osmanin: Janë pasuri e jashtëzakonshme
Presidenti i FFK-së ka folur edhe për futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova që luajnë në akademi dhe klube evropiane, duke veçuar Arijon Ibrahimoviqin, Yll Gashin dhe Erblin Osmanin, si dhe disa talente të tjerë.
“Ti t’i kesh në Bayern, për shembull, Erblin Osmanin, Yll Gashin dhe Arijon Ibrahimoviqin, madje edhe Nurën, është një pasuri e jashtëzakonshme për një shtet. Duke i përfshirë edhe treshen që e kemi në Hoffenheim, Kosova e ka një të ardhme sepse ka talent”, ka thënë Ademi.
Ai beson se Kosova mund të ndërtojë një ekip konkurrues për shumë vite, duke kombinuar talentet që vijnë nga diaspora me futbollistët që zhvillohen në kampionatin vendor.
Ademi: Fanella e Kosovës peshon shumë rëndë
Ademi ka folur edhe për procesin e afrimit të futbollistëve nga diaspora, duke pranuar se bindja e tyre për t’iu bashkuar Kosovës nuk është gjithmonë e lehtë.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë familjet shqiptare në diasporë, të cilat, pavarësisht se fëmijët e tyre kanë lindur dhe janë rritur jashtë Kosovës, kanë ruajtur lidhjen e tyre me vendin.
“Duhet t’i falënderojmë të gjithë mërgatën tonë, familjarët e tyre, prindërit e tyre sidomos, të cilët i kanë rritur në frymën patriotike, në frymën e Kosovës. I kanë rritur duke u thënë se vendi juaj është Kosova”, ka thënë ai.
Presidenti i FFK-së ka theksuar se shumë prej këtyre futbollistëve kanë ardhur në Kosovë për t’i parë nga afër kushtet dhe për të krijuar një bindje për ambientin ku do të luanin.
Në fund, Ademi e ka cilësuar fanellën e Kosovës si një përgjegjësi të madhe për çdo sportist që e vesh atë.
“Fanella e Kosovës peshon shumë rëndë dhe është goxha e vështirë për ta mbajtur. Duhet të jetë krenar dhe i lumtur ai që e ka mundësinë ta mbajë. Në kohën moderne, në kohën paqësore, ti je luftëtari kryesor sot – jo vetëm në futboll, por secili sportist që e mban fanellën e Kosovës”, ka përfunduar Ademi.

