
Rusia sulmon një qendër tregtare në Ukrainë, 16 të vrarë dhe 130 të plagosur
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 130 të tjerë janë plagosur, mes tyre 23 fëmijë, pas një sulmi rus me dronë ndaj një qendre tregtare në qytetin e Kryvyi Rih, në Ukrainën qendrore.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi u krye në dy valë. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se rreth 30 minuta pas goditjes së parë, e cila shkaktoi zjarr në qendrën tregtare, u regjistrua një goditje e dytë që dyshohet se kishte në shënjestër ekipet e emergjencës.
“Ukraina do të përgjigjet patjetër”, deklaroi Zelensky pas sulmit.
Ekipet e shpëtimit vijojnë punën në zonë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Disa persona rezultojnë ende të zhdukur dhe nuk janë kontaktuar nga familjarët.
Nga të plagosurit, të paktën 29 persona ndodhen në gjendje të rëndë. Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit Zelensky, është goditur disa herë nga sulmet ruse gjatë luftës.
Sulme janë raportuar gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit në Zaporizhzhia, Kherson, Sumy, Donetsk, Kharkiv dhe Odesa. Sipas autoriteteve ukrainase, në këto sulme janë vrarë të paktën 9 persona dhe janë plagosur 49 të tjerë.
Ndërkohë, forcat ukrainase kanë goditur gjatë natës dy objektiva në rajonin Samara të Rusisë, mes tyre rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk dhe një qendër logjistike të kompanisë Ozon. /rtsh/

