Arteta: Jam më i uritur se kurrë, Saka dhe Rice janë gati për start

Arteta: Jam më i uritur se kurrë, Saka dhe Rice janë gati për start

Mikel Arteta ka folur në një konferencën për media para nisjes së sezonit të ri në Premier League, teksa Arsenali përgatitet të nisë mbrojtjen e titullit ndaj Coventry Cityt.

“Topçinjtë” do ta nisin kampionatin në shtëpi, në stadiumin “Emirates”, ndaj skuadrës së sapo promovuar në elitën e futbollit anglez. Arsenali sezonin e kaluar e mbylli në krye të tabelës me 85 pikë, shtatë më shumë se Manchester City.

Arteta beson se skuadra e tij ka gjithçka që nevojitet për ta përsëritur suksesin, por paralajmëron se titulli duhet të fitohet sërish përmes punës së përditshme.

“Ekipet që arrijnë ta bëjnë këtë kanë një cilësi të jashtëzakonshme: ruajnë standardet më të larta çdo ditë. Ne e kemi këtë mundësi. Nuk kam asnjë dyshim për dëshirën dhe ambicien e lojtarëve tanë. Tani duhet ta meritojmë dhe ta bëjmë këtë çdo ditë”, tha Arteta.

Trajneri spanjoll pranoi se mezi pret nisjen e kampionatit dhe se motivimi i tij është edhe më i madh.

“Jam mirë, ndryshe dhe shpresoj më mirë. Jam më i emocionuar se kurrë, më i uritur se kurrë dhe mezi pres që Premier League të nisë në shtëpi, para tifozëve tanë. Duam të zhvillojmë një paraqitje të madhe dhe ta fitojmë ndeshjen”, u shpreh ai.

Arteta konfirmon nevojën për përforcime në mbrojtje

Arsenali vazhdon të jetë aktiv në tregun e transferimeve, veçanërisht në repartin defensiv, pas dëmtimeve të Ëilliam Salibas dhe Jurrien Timber.

Arteta pranoi se klubi po punon për të përforcuar mbrojtjen dhe la të hapur mundësinë e një transferimi të ri.

“Jemi shumë aktivë në treg. E kam thënë edhe para disa ditësh se ambicia është ta përmirësojmë skuadrën. Kemi një problem specifik, veçanërisht për shkak të dëmtimit afatgjatë të Ëilliam Salibas dhe mungesës së një tjetër mbrojtësi”, deklaroi ai.

“Po përpiqemi ta përforcojmë atë repart dhe, kur të jemi gati, do ta njoftojmë. Jam gjithmonë pozitiv dhe i sigurt, por kjo nuk varet vetëm nga ne. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta përmirësuar atë zonë”, theksoi Arteta.

Saka dhe Rice janë gati

Lajmi më i mirë për tifozët e Arsenalit lidhet me dy prej lojtarëve kryesorë të skuadrës. Arteta konfirmoi se Bukayo Saka dhe Declan Rice janë të gatshëm për të startuar ndaj Coventryt, pasi të dy patën një angazhim të rëndësishëm me Anglinë në Kupën e Botës.

“Po, ata janë gati për të startuar”, konfirmoi Arteta.

Në fund, trajneri i Arsenalit kërkoi qetësi dhe përqendrim, duke e cilësuar sezonin si një maratonë të gjatë.

“Duhet të marrim frymë dhe t’i marrim gjërat në mënyrë organike, sepse edhe ky do të jetë një maratonë e gjatë. Ajo që duhet të tregojmë është se dëshira dhe ambicia jonë është të jemi më të mirë se sezonin e kaluar, se para një muaji apo edhe se javën e kaluar kur luajtëm kundër Manchester Cityt”, përfundoi Arteta.

Arsenal – Coventry zhvillohet të premten në “Emirates Stadium”, në ndeshjen hapëse të kampionëve në sezonin e ri të Premier League.

Share This