
Buxheti për komunat pritet të arrijë në 907 milionë euro në vitin 2027
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se buxheti i komunave të Kosovës pritet të rritet në 907 milionë euro gjatë vitit 2027.
Sipas Muratit, Ministria e Financave ka lëshuar javën e kaluar Qarkoren e Dytë Buxhetore për Komunat, përmes së cilës janë përcaktuar kufijtë buxhetorë për secilën komunë të vendit.
Murati ka thënë se rritja e buxhetit komunal është rezultat i rritjes së të hyrave buxhetore gjatë viteve të fundit, duke krijuar, sipas tij, hapësirë më të madhe fiskale për financimin e pushtetit lokal.
“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka deklaruar Murati.
Ai ka vënë në pah edhe ndryshimin e shumës së buxhetit komunal krahasuar me vitin 2021. Sipas tij, atë vit komunat kishin në dispozicion rreth 546 milionë euro, ndërsa për vitin 2027 parashihet që kjo shumë të arrijë në 907 milionë euro.
“ Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”, ka shkruar Murati.
Rritja e planifikuar pritet të ndikojë në kapacitetet financiare të komunave për realizimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve publike në nivel lokal.
