
Presidenti Ademi: Erdogan, faleminderit për gjithçka që i dhe futbollit të Kosovës
Sot, me dhimbje të thellë, futbolli i Kosovës i dha lamtumirën një prej figurave më të çmuara të tij, Erdogan Celinës, futbollistit ikonë, kapitenit model, trajnerit dhe mbi të gjitha, njeriut të madh.
Në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së tij, Erdogan Celina u kujtua me respekt e mirënjohje nga të pranishmit si një profesionist shembullor dhe një personalitet i jashtëzakonshëm, i dashur e i respektuar nga të gjithë.
Gjatë gjithë jetës së tij, Celina ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë futbollit, duke kontribuar si futbollist dhe trajner dhe duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e futbollit kosovar.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në këtë ditë zie, e ka kujtuar me fjalë të veçanta figurën e Erdogan Celinës.
“Erdogan, faleminderit për gjithçka që i dhe futbollit të Kosovës. Faleminderit për miqësinë dhe respektin që na dhurove. Lamtumirë, kapiten! Do të mbetesh përgjithmonë në kujtesën e futbollit tonë”, ka shkruar Ademi.
Ikja e tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë, komunitetin sportiv dhe gjithë futbollin e Kosovës. Por kontributi dhe kujtimi për Erdogan Celinën do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së futbollit tonë. 🇽🇰⚽️

