
Mbi 5 mijë gjoba në Gjakovë brenda një muaji, policia sekuestron 92 motoçikleta
Njësia rajonale e trafikut rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet në kuadër të planit operativ “Vera 2026 dhe Alkooli”, me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas Policisë së Kosovës, kontrollet janë zhvilluar nga 17 korriku deri më 16 gusht 2026, në rrugët e rajonit të Gjakovës, përmes angazhimit të Task Forcës dhe patrullave shtesë.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 5 mijë e 22 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Policia ka marrë edhe masa të tjera ndaj pjesëmarrësve në trafik. Si masë mbrojtëse, 323 patentë-shoferë janë ndaluar nga drejtimi i mjeteve motorike, ndërsa 92 motoçikleta janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme.
Pjesa më e madhe e gjobave është shqiptuar për tejkalim të kufizimit të shpejtësisë. Sipas Policisë, janë evidentuar 3 mijë e 59 gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 201 për drejtim të automjeteve me përqendrim të alkoolit mbi normën e lejuar, 145 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 107 për tejkalime të parregullta.
Ndërkaq, 103 gjoba janë shqiptuar ndaj motoçiklistëve për mosvendosje të helmetës dhe kundërvajtje të tjera, ndërsa 10 gjoba janë shqiptuar për gara të shpejtësisë.
Kontrollet policore janë fokusuar në kundërvajtjet që paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, përfshirë shpejtësinë, përdorimin e telefonit, tejkalimet e parregullta, drejtimin nën ndikimin e alkoolit, garat e shpejtësisë dhe shkeljet e kryera nga motoçiklistët.
Drejtoria rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe motoçikletave që të respektojnë rregullat e trafikut dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
“Respektimi i normave ligjore është i domosdoshëm për parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e sigurisë së të gjithë qytetarëve”, ka apeluar policia.

