
Wirtz mezi pret të punojë me Kloppin te Gjermania: Jam i emocionuar
Florian Wirtz ka shprehur entuziazmin për mundësinë që të punojë me Jurgen Kloppin në Kombëtaren e Gjermanisë, pasi trajneri legjendar është emëruar në krye të “Pancerëve”.
Mesfushori i Liverpoolit nuk pati rastin të bashkëpunonte me Kloppin në “Anfield”, pasi ai iu bashkua klubit anglez vetëm pas largimit të teknikut gjerman. Megjithatë, të dy do të kenë mundësinë të bashkojnë forcat te përfaqësuesja gjermane.
Pas largimit të Julian Nagelsmannit, Klopp mori drejtimin e Gjermanisë dhe Wirtz pritet të jetë një nga lojtarët kryesorë në projektin e tij për të ardhmen.
22-vjeçari u transferua te Liverpooli nga Bayer Leverkuseni për rreth 100 milionë funte pas triumfit të “The Reds” në Premier League. Edhe pse sezoni i tij i parë në Angli nuk ishte aq mbresëlënës sa pritej, Klopp ka shprehur vazhdimisht besimin në cilësitë e tij dhe e ka mbështetur publikisht.
Vetë Wirtz ka bërë të ditur se mezi pret të nisë bashkëpunimin me trajnerin e ri të Gjermanisë.
“Ende nuk kam folur me të, por shumë njerëz këtu në klub më kanë folur për të. Më kanë thënë se është një njeri i mrekullueshëm. I gjithë Liverpooli e do dhe mezi pres ta takoj pas disa muajsh”, është shprehur Wirtz.
Jurgen Klopp do ta nisë zyrtarisht aventurën në stolin e Gjermanisë në fund të muajit shtator, kur kombëtarja gjermane do të përballet me Holandën dhe Greqinë në kuadër të UEFA Nations League.

