Kurti fton PDK-në, LDK-në dhe Aleancën për takim para seancës konstituive

Kurti fton PDK-në, LDK-në dhe Aleancën për takim para seancës konstituive

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën, në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

PDK-ja dhe Aleanca kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesën për takim, ndërsa ende nuk ka një konfirmim publik nga LDK-ja.

Por, nga PDK dhe Aleanca nuk është bërë e ditur nëse do të marrin pjesë në këtë takim.

Më herët gjatë ditës, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, kishte paralajmëruar se ftesat do t’u dërgoheshin partive parlamentare brenda pak orësh ose ditësh, me synim zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

“Jam e bindur që shumë shpejt, para seancës konstituive, kryeministri Albin Kurti do të bëjë ftesë edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe për parti të tjera. Konstituimi i institucioneve dhe zgjedhja e presidentit janë obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo theksoi se mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja.

“Qëllimi është që institucionet të konstituohen brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe të krijohen kushtet për zgjedhjen e presidentit, duke shmangur një proces të ri zgjedhor”, u shpreh ajo.

Lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje politike, Kusari-Lila tha se LVV-ja është e hapur për diskutime, por theksoi se çdo dakordim duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve.

“Qytetarët kanë folur, rezultati dihet dhe konform atij rezultati mund të pritet dakordimi politik mes subjekteve”, tha ministrja në detyrë.

Takimet e paralajmëruara pritet të zhvillohen para vazhdimit të seancës konstituive, në përpjekje për të arritur një zgjidhje politike për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. /rtk/

Share This