
Përplasje FIFA-UEFA, Infantino përballet me kërcënim ligjor
Përplasjet mes UEFA-s dhe FIFA-s kanë marrë një tjetër dimension, pasi institucioni evropian ka paralajmëruar masa ligjore ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, lidhur me një projekt të diskutueshëm për shitjen e të drejtave të Kupës së Botës.
Sipas “Telegraph Sport”, UEFA u ka dërguar një letër zyrtare jo vetëm Infantinos, por edhe disa palëve të përfshira në këtë nismë, përfshirë Joshua Kushner, Greg Maffei, JP Morgan dhe OpenEconomics, duke bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore.
Në letrën drejtuar presidentit të FIFA-s, UEFA ka kërkuar që të ruhen të gjitha dokumentet dhe informacionet që lidhen me projektin e njohur si “FFE”, duke paralajmëruar se çdo material i lidhur me këtë çështje duhet të identifikohet dhe të mbrohet nga fshirja apo asgjësimi.
Institucioni evropian ka theksuar se këto detyrime vlejnë pavarësisht politikave të brendshme të ruajtjes së dokumenteve në FIFA dhe se çdo procedurë rutinë për eliminimin e materialeve nuk duhet të zbatohet për dokumentacionin që lidhet me këtë projekt.
Nisma në fjalë, e cila sipas raportimeve kishte për qëllim një model të ri komercializimi rreth Kupës së Botës, ka hasur në kundërshtime dhe nuk ka arritur të marrë zhvillimin e planifikuar.
Për momentin, FIFA dhe Gianni Infantino nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj paralajmërimeve të UEFA-s, ndërsa situata pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në marrëdhëniet mes dy institucioneve të futbollit.

