Përplasje Barcelona-Atletico për yllin argjentinas

Përplasje Barcelona-Atletico për yllin argjentinas

Barcelona është përfshirë në një situatë të tensionuar me Atletico Madridin për shkak të interesimit për sulmuesin argjentinas, Julian Alvarez.

Klubi madrilen ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë yllin e tij dhe ka ndërmarrë hapa zyrtarë ndaj Barcelonës, duke pretenduar se klubi katalanas ka zhvilluar kontakte me lojtarin edhe pse ai është nën kontratë me Atleticon deri në vitin 2030.

Alvarez pati një sezon të jashtëzakonshëm me Atletico Madridin, duke realizuar 31 gola dhe duke dhuruar 8 asistime në 56 paraqitje. Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën dhe Arsenalin.

Barcelona e sheh sulmuesin argjentinas si zëvendësuesin ideal të Robert Leëandoëskit, i cili u largua nga klubi katalanas si lojtar i lirë dhe iu bashkua Chicago Fire në Major League Soccer.

Sipas raportimeve, Barcelona ka paraqitur një ofertë prej 100 milionë eurosh për Alvarez, por ajo është refuzuar menjëherë nga Atletico Madrid, i cili synon ta mbajë në skuadër një prej lojtarëve më të rëndësishëm.

Pas ofertës së Barcelonës, Atletico reagoi publikisht përmes rrjeteve sociale duke publikuar postime ironizuese për thashethemet e afatit kalimtar, me mesazhin: “Mos besoni gjithçka që shihni, veçanërisht nëse lidhet me Barçën”.

Për më tepër, Atletico Madrid ka paraqitur një ankesë zyrtare pranë Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit, duke pretenduar se Barcelona ka negociuar me lojtarin gjatë periudhës së mbrojtur nga rregulloret e FIFA-s.

Nga ana tjetër, Barcelona mohon çdo shkelje dhe beson se nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme. Klubi katalanas është i bindur se mund ta mbrojë qëndrimin e tij gjatë hetimit, ndërsa vazhdon kërkimin për një sulmues të ri.

Raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se Barcelona shpreson që vetë Alvarez të kërkojë largimin nga Atletico Madrid pas rikthimit të tij nga pushimi pas angazhimeve me Kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës.

Share This