Lugano eliminon Dukagjinin

Lugano eliminon Dukagjinin

Dukagjini i ka dhënë fund aventurës evropiane për këtë sezon, pasi është eliminuar nga Lugano në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League.

Skuadra nga Klina u mposht me rezultat 1:5 në ndeshjen kthyese të zhvilluar të mërkurën në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 1:6, Lugano siguroi kalimin në raundin tjetër të kësaj gare evropiane.

Skuadra zvicerane, e cila kishte më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare, zhvilloi një paraqitje më të mirë gjatë gjithë takimit dhe e kontrolloi lojën ndaj Dukagjinit.

Lugano e nisi furishëm ndeshjen dhe në pjesën e parë realizoi tri gola. Behrens shënoi dy herë për mysafirët, në minutat e 6-të dhe 36-të, ndërsa Santos realizoi në minutën e 9-të.

Dukagjini reagoi shpejt dhe ngushtoi epërsinë përmes Maliqit në minutën e 10-të, duke rikthyer përkohësisht shpresën për një rikthim në rezultat.

Megjithatë, Lugano vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë dhe shënoi edhe dy gola të tjerë. Fillimisht Sinani realizoi autogol në minutën e 52-të, ndërsa Behrens kompletoi het-trikun në minutën e 59-të për rezultatin përfundimtar 5:1.

Pas kësaj humbjeje, Dukagjini largohet nga garat evropiane për këtë sezon, ndërsa Lugano vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.

Share This