Tensionet në Lindjen e Mesme, Trump paralajmëron Iranin me sulme të rënda: Do të goditen fort

Tensionet në Lindjen e Mesme, Trump paralajmëron Iranin me sulme të rënda: Do të goditen fort

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit zyrtar, duke deklaruar se Irani do të përballet me goditje të fuqishme ushtarake pas një tentative për sulm ndaj forcave amerikane në rajon.

Deklaratat e kreut të Shtëpisë së Bardhë u bënë gjatë një interviste për rrjetin televiziv Fox News, pak orë pas operacioneve ushtarake të përbashkëta ndërmjet Uashingtonit dhe Riadit kundër milicive të mbështetura nga Teherani në territorin irakian.

Sulmet e sinkronizuara amerikano-saudite erdhën si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj goditjeve të mëparshme mbi praninë ushtarake të SHBA-së dhe objekteve strategjike të naftës në Arabinë Saudite. Presidenti Trump konfirmoi se kishte ndjekur nga afër pamjet e operacionit, gjatë të cilit forcat amerikane neutralizuan në kohë rekord raketat e lëshuara.

“Ne do t’i godasim deri në fund. Ata do të pësojnë një goditje të fortë. Ne do ta godasim fort Iranin në përgjigje të sulmeve të tyre kundër objektivave tona.”, tha Donald Trump, President i SHBA-së.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, veprimet ushtarake në Irak u realizuan në koordinim të plotë me autoritetet zyrtare të Bagdadit, menjëherë pas provokimeve të regjistruara edhe në zonën kufitare me Jordaninë.

Reagimet në Irak

Skena politike në Irak ka reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve ushtarake në territorin e saj. Kryeministri irakian, Ali Al-Zaidi, vendosi të shtyjë vizitën e tij zyrtare të planifikuar në Riad, duke iu referuar përshkallëzimit të fundit.

Nga ana tjetër, përfaqësues të organizatës ushtarake PMF (Forcat e Mobilizimit Popullor), e cila u vu në shënjestër gjatë sulmeve, i cilësuan veprimet si një “përshkallëzim mjaft të rrezikshëm”. Qëndrim kritik mbajti edhe ish-kryeministri Mohammed Shia al-Sudani, i cili paralajmëroi për pasojat e këtij operacioni mbi stabilitetin rajonal.

“Kjo përbën një tejkalim të rrezikshëm të parimit të vëllazërisë islamike.”, tha Mohammed Shia al-Sudani, ish-Kryeministër i Irakut

Operacionet e fundit ushtarake kanë përfshirë në një krizë të re diplomacinë e brishtë në rajon, ndërsa forcat aleate mbeten në gjendje të lartë gatishmërie për çdo reagim të mundshëm nga ana e Teheranit. /rtsh/

Share This