BE-ja thërret ambasadorin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore të Rumanisë

BE-ja thërret ambasadorin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore të Rumanisë

Bashkimi Evropian ka thirrur për shpjegime të dërguarin diplomatik të Moskës në Bruksel, pas hyrjes së një droni rus në hapësirën ajrore të Rumanisë, javën e kaluar.

“Ne shprehëm dënimin tonë të fortë për shkeljen e qëllimshme të hapësirës ajrore të Rumanisë”, tha sot një zëdhënës i shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

Rumania ndan me Ukrainën një kufi prej rreth 600 kilometrash. Ukraina, prej më shumë se katër vitesh, po përballet me pushtimin rus.

Sipas zëdhënësit, ky “veprim i pamatur” përbën një përshkallëzim shumë serioz nga ana e Rusisë dhe kërcënon sigurinë e qytetarëve të BE-së, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas u ka propozuar gjithashtu vendeve anëtare të BE-së, miratimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, si për shkeljet e hapësirës ajrore, ashtu edhe për sulmin rus, që dëmtoi konsullatën e nderit të Letonisë, në lindje të Ukrainës.

“Rumania dhe Letonia kanë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së. /atsh/

Share This