
Ish-deputeti i VV’së reagon për profilet e rreme: Janë rrjet kriminal i mirëorganizuar që veprojnë në funksion të pushtetit
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka reaguar lidhur me debatin për profilet e rreme. Ai ka thënë se profilet e rreme janë pjesë e një rrjeti kriminal të mirëorganizuar dhe të koordinuar që vepron në funksion të pushtetit.
Sipas Rrahmanit, ka disa hapa se si funksionon ky mekanizëm i profileve të rreme.
“Ky mekanizëm, funksionon në dy mënyra:E para: Fillon me linçime, shpifje, denigrime, gënjeshtra dhe manipulime nga profile të rreme. Më pas, këto narrativa legjitimohen nga disa analistë pranë pushtetit në studio televizive dhe në rrjetet sociale, për të përfunduar me deklarata të deputetëve dhe ministrave.E dyta: Fillon me narrativa përçarëse të artikuluara nga deputetë e ministra të pushtetit. Më pas ato përforcohen nga analistë që janë të afërt ose të mbështetur nga pushteti, ndërsa kulmojnë me fushata të profileve të rreme në rrjetet sociale”, ka shkruar ai, transmeton GE.
“Në fund, viktimat kryesore janë qytetarët. Më së shumti bashkatdhetarët në mërgatë bien pre e këtyre narrativave, reagojnë në mënyra që mund t’u sjellin pasoja ligjore dhe përfundojnë në burg.
Nga ky mekanizëm kanë frikë edhe shumë deputetë e zyrtarë të vetë pushtetit. Ka prej tyre që nuk pajtohen me mënyrën se si qeveriset, por nga frika e linçimit publik, shantazhit dhe fushatave të organizuara nuk guxojnë ta kundërshtojnë hapur pushtetin.”, ka përfunduar ai.

