
Vijojnë tensionet në protestën para Parlamentit, lëndohen disa policë
Situata para godinës së Parlamentit në Tiranë vijon të mbetet e tensionuar, ku një grup qytetarësh po protestojnë që prej mëngjesit të kësaj të enjte.
Gjatë përplasjes me forcat e rendit, protestuesit kanë hedhur molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të Forcave Shqiponja. Në përgjigje, policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
Protesta nisi pak para zhvillimit të seancës plenare, ndërsa protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të automjeteve të deputetëve, si edhe ndaj efektivëve të policisë. Gjatë disa momenteve, ata tentuan të çanin kordonin e sigurisë të ngritur përpara godinës së Parlamentit, duke sjellë përshkallëzimin e tensioneve.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e incidenteve janë plagosur gjithsej shtatë efektivë policie. Ndërkohë, policia ka shoqëruar 18 persona të dyshuar. /rtsh/
