
Anëtarësimi i Malit të Zi hyn në projektimet buxhetore të BE-së
Komisioni Evropian ka miratuar një paketë financiare prej gati 3.2 miliardë eurosh për Malin e Zi, duke e përfshirë atë për herë të parë në projektimet buxhetore si shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Ndërsa Mali i Zi përparon drejt periudhës përfundimtare të procesit të anëtarësimit, ky propozim shënon një hap të ri në këtë fazë përfundimtare”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Paketa bazohet në propozimin për buxhetin shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian, me supozimin se Mali i Zi do t’i bashkohet Unionit në vitin 2028.
Sipas Komisionit Evropian, implikimet financiare për qytetarët e BE-së do të jenë pothuajse të papërfillshme.
“Paketa u jep shteteve anëtare një pasqyrë të qartë të implikimeve financiare të pranimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Këto implikime janë shumë të kufizuara. Sipas përllogaritjeve tona, anëtarësimi i Malit të Zi do të kushtonte më pak se një euro në vit për secilin qytetar të Bashkimit Evropian”, shtoi zëdhënës i Komisionit Evropian.
Së bashku me vendimin për nisjen e hartimit të Traktatit të Anëtarësimit, ky është një nga dy vendimet më të rëndësishme që Mali i Zi ka marrë muajt e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar në procesin e zgjerimit. Ai synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti, me objektivin që të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian gjatë vitit 2028. /RTK/

