
Shqipëri, parashikimi i motit
Vendi ynë do të ndikohet këtë të shtunë nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura tipike të stinës.
Sipas parashikimit meteorologjik, gjatë ditës priten kthjellime të alternuara me vranësira mesatare, të cilat do të jenë më të theksuara në orët e mesditës dhe pasdites në zonat malore të lindjes dhe juglindjes së vendit.
Reshjet e shiut parashikohen të jenë të dobëta, afatshkurtra dhe lokale, kryesisht në formë pikash në lindje dhe jug të vendit. Në zonat malore mund të ketë herë pas here shtrëngata të izoluara dhe me kohëzgjatje të shkurtër. Pjesa më e madhe e territorit do të mbetet pa reshje, ndërsa pas orëve të pasdites pritet ndërprerja e tyre.
Era do të fryjë me drejtim kryesor nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, era mund të forcohet herë pas here deri në 14 m/s.
Sa i përket detit, valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i ulët deri mesatar, me forcë 1 deri në 3 ballë, duke krijuar kushte të favorshme për lundrim dhe aktivitetet bregdetare. /rtsh/

