Fundjavë me mot kryesisht me diell dhe temperatura deri në 33 gradë

Fundjavë me mot kryesisht me diell dhe temperatura deri në 33 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë fundjavës vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare.

Sipas IHMK-së, kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për aktivitetet në natyrë, punët bujqësore dhe qarkullimin në trafik.

Për ditën e shtunë parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë ndërmjet 28 dhe 33 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.

Instituti thekson se kushtet agrometeorologjike do të jenë shumë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Temperaturat e përshtatshme, moti i thatë dhe orët e gjata me diell krijojnë kushte optimale për pjekjen e drithërave.

Duke qenë se vendi ndodhet në prag të fillimit të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, fundjava pritet të jetë veçanërisht e përshtatshme për përgatitjen dhe nisjen e punimeve në arat me drithëra, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera bujqësore. Sipas IHMK-së, këto aktivitete fillimisht do të nisin në Rrafshin e Dukagjinit, ku për shkak të kushteve më të favorshme klimatike, korrjet zakonisht fillojnë rreth 10 ditë më herët sesa në Rrafshin e Kosovës.

Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e qytetarëve. Megjithatë, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, për shkak të rritjes së temperaturave dhe rrezatimit të lartë diellor, rekomandohet shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe përdorimi i masave mbrojtëse ndaj rrezeve UV, të cilat pritet të kenë intensitet të lartë.

Share This