
Shpërthejnë mediat turke: Jemi si Haiti
Aventura e Turqisë në Kupën e Botës 2026 ka përfunduar në mënyrën më të hidhur të mundshme.
Përfaqësuesja e drejtuar nga Vincenzo Montella u eliminua pas dy humbjeve radhazi, duke mos arritur të grumbullojë asnjë pikë dhe pa realizuar asnjë gol në 180 minutat e para të turneut.
Pavarësisht se në aspektin statistikor dominoi ndaj Australisë dhe Paraguajit, skuadra turke nuk arriti ta konkretizojë epërsinë në rezultat.
Kështu, ekipi që kishte eliminuar Kosovën në rrugën drejt finaleve të Botërorit 2026 i dha lamtumirën garës mes lotësh në Santa Clara.
Pas eliminimit, një nga futbollistët e parë që mori përgjegjësinë ishte ylli i Real Madridit, Arda Guler.
“Kërkojmë falje, ndihemi të turpëruar. Të gjithë luajmë për klube elitare dhe duhej të kishim bërë më mirë. Në dy ndeshje nuk kemi shënuar asnjë gol dhe kjo është e papranueshme”, deklaroi Guler.
Zhgënjimi ishte i madh edhe në mediet turke, të cilat reaguan ashpër pas dështimit të kombëtares.
“Hurriyet” e përshkroi eliminimin me titullin: “Pa gol, pa pikë. Një lamtumirë e hidhur dhe një zhgënjim i madh”.
Ndërkohë, “Fanatik” bëri një krahasim të ashpër me Haitin, duke shkruar: “Jemi eliminuar pa shënuar asnjë gol, si Haiti. Kemi përjetuar të njëjtin fat si skuadra më e dobët e turneut”.
Edhe “Haberturk” vuri në pah kontrastin mes pritshmërive dhe realitetit, duke theksuar se rikthimi i Turqisë në Kupën e Botës pas 24 vitesh nuk zgjati shumë.
“E nisëm turneun me shpresa të mëdha, por aventura jonë përfundoi shpejt. Edhe pse kemi ende një ndeshje për të zhvilluar, tashmë jemi jashtë garës”, shkruante mediumi turk.
Eliminimi i hershëm përbën një goditje të rëndë për Turqinë, e cila kishte udhëtuar në Shtetet e Bashkuara me ambicie për të kaluar fazën e grupeve, por përfundoi duke u larguar pa asnjë pikë dhe pa festuar asnjë gol.

