
Marrëveshja- Izraeli mbetet në Libanin jugor, Ministri i Mbrojtjes: Nëse Irani na sulmon do të përgjigjemi
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar të hënën se prania e forcave izraelite në Libanin jugor do të vazhdojë, pas njoftimeve për një armëpushim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i cili thuhet se përfshin edhe përfundimin e luftimeve me Hezbollahun.
Katz theksoi se, sipas politikës së qeverisë izraelite të udhëhequr nga ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të qëndrojnë në “zonat e sigurisë” në Liban, Siri dhe Gaza pa afat kohor, me qëllim mbrojtjen e kufijve dhe komuniteteve izraelite.
Ai shtoi se këto zona do të pastrohen nga banorët vendas dhe nga çdo infrastrukturë që Izraeli e konsideron si terroriste, përfshirë struktura mbi dhe nën tokë, si dhe objektet në fshatrat pranë vijës së kontaktit.
Sipas tij, mbajtja e këtyre zonave të sigurisë është një nga arritjet më të rëndësishme të ushtrisë izraelite dhe Izraeli nuk do të tërhiqet pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
Katz po ashtu tha se kryeministri Netanyahu i ka bërë të qarta këto qëndrime edhe presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, ndërsa vetë ai i ka diskutuar me Sekretarin amerikan të Luftës, Pete Hegseth.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Irani sulmon Izraelin në lidhje me zhvillimet në Liban, Tel Avivi do të përgjigjet me forcë të plotë.

