
Vrau nënën me thikë, arrestohet 57-vjeçarja në Kurbin. Ngjarja më 30 prill, por ishte raportuar si vdekje natyrale
Një ngjarje e rëndë kriminale, e mbajtur e fshehtë për më shumë se një muaj, është zbardhur nga Policia në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit. Në pranga ka përfunduar një 57-vjeçare, e cila dyshohet se ka vrarë nënën e saj 85-vjeçare me thikë, ndërsa rasti ishte raportuar fillimisht si vdekje natyrale.
Sipas Policisë, viktima me iniciale Dava Shpani 85 vjeçe, kishte ndërruar jetë më 30 prill 2026. Vdekja e saj nuk ishte raportuar në organet ligjzbatuese, pasi ishte cilësuar si natyrale.
Megjithatë, informacione të siguruara në rrugë operative ngritën dyshime për një ngjarje kriminale, duke çuar në nisjen e një hetimi të thelluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë.
Nga hetimet ka rezultuar se e moshuara ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës, ndërsa autore e dyshuar është vajza e saj, Violeta Shpani, 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën. Sipas Policisë, e dyshuara vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Enigma”, uniformat blu kanë bërë ndalimin e 57-vjeçares, ndaj së cilës rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale.
Ndërkohë, procedim penal në gjendje të lirë është nisur edhe ndaj një mjekeje, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Sipas Policisë, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe nuk ka njoftuar autoritetet përkatëse.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë mund të kenë pasur dijeni apo përfshirje në fshehjen e krimit. /rtsh/

