
Gjobitet KEDS-i me 110 mijë euro pas parregullsive në njehsorët elektrikë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 110 mijë eurosh ndaj KEDS-it, pas verifikimeve të kryera në njehsorët elektrikë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa pranë institucioneve përgjegjëse.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, nga kontrollet e kryera janë evidentuar disa parregullsi: 18 njehsorë kanë rezultuar me afat të skaduar të validitetit, dy njehsorë kanë pasur miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 të tjerë kanë shfaqur pasaktësi në datë dhe orë.
Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS gjoba në vlerë totale prej 110 mijë eurosh. Njëkohësisht, raportet zyrtare të verifikimit janë përcjellë edhe te KESCO, me qëllim që të ndërmerren procedurat për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar, raporton rtk.
MINTI ka bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, derisa të shqyrtohen dhe trajtohen të gjitha ankesat e paraqitura nga qytetarët. Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e funksionimit korrekt të pajisjeve matëse të energjisë elektrike.

