
LDK në Junik premton zhvillim, bashkim dhe vazhdim të vizionit politik
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale në Junik. Gjatë tubimit, LDK prezantoi vizionin dhe prioritetet për zhvillimin e Junikut.
Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit elektoral në Junik, u shpreh i bindur se qytetarët e kësaj komune do ta mbështesin edhe një herë LDK-në, duke e konsideruar atë si alternativën më të mirë për një të ardhme më të sigurt dhe më të zhvilluar për Kosovën.
“Ndjej një lidhje historike me Junikun. LDK ka dy vepra madhore që i ka bërë për Junikun: e ka bërë Junikun komunë dhe Ruzhdiun e ka kthyer kryetar. E kemi në zemër Junikun jo vetëm si vend i besës që ka dhënë shumë, por Juniku na përfaqëson edhe me lidhjen e jashtëzakonshme me mërgatën. Prandaj, siç e kemi bërë bashkë fitoren me ta, le ta bëjmë edhe një herë. Faleminderit për mbështetjen që po ia jepni LDK-së, sepse ne kemi bërë bashkimin e madh me LDK-në dhe kemi nevojë për mbështetjen nga e gjithë Kosova”, tha ai.
Kandidatja për presidente nga ky subjekt politik, Vjosa Osmani ftoi qytetarët e Junikut që t’i bashkohen vizionit të tyre për zhvillimin e vendit.
“Sa herë kam ardhur këtu, më kanë uruar që të rroj sa bjeshkët e Rugovës. Jam këtu t’ju jap besën e shqiptarit se vizioni dhe amaneti i prijësve tanë si Dr. Ibrahim Rugova do të rrojë sa bjeshkët e Rugovës. Kemi në mesin tonë burra e gra që asnjëherë nuk e ndalën punën për atdhe.Kemi një program që, për herë të parë, do t’i japë familjes mirëqenien që e meriton dhe shtetit tonë zhvillimin, investimet dhe perspektivën që i meriton.Ju keni më së shumti anëtarë në mërgatë, andaj dua që LDK-së t’i jepet një shans që ëndrrat e tyre të jetës të realizohen në Kosovë e jo larg atdheut”, theksoi Osmani, raporton rtk.
Ndërkaq, kryetari i Junikut nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu, tha se dyshja e partisë është garancia më e fortë për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe aleatët ndërkombëtarë.

