
SHBA paralajmëron për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit nëse nuk arrihet marrëveshje
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të rifillojnë sulmet ndaj Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje, tha sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa negociatorët e Uashingtonit dhe Teheranit po përpiqen të kapërcejnë mosmarrëveshjet kryesore që pengojnë një ujdi, raportoi “New York Post”.
“Jemi më se të aftë për të rifilluar veprimet nëse është e nevojshme”, tha Hegseth në Singapor.
“Sasitë tona të municioneve janë më se të përshtatshme, prandaj jemi në një pozicion shumë të mirë”, shtoi ai.
Duke folur në Forumin e Sigurisë “Dialogu Shangri-La” në Singapor, forumi kryesor i mbrojtjes në Azi, që mbledh udhëheqës ushtarakë dhe diplomatë, Hegseth tha se SHBA-ja nuk i ka kthyer shpinën rajonit Indo-Paqësor, pavarësisht përfshirjes në konfliktin me Iranin.
“Ne mund të bëjmë dy gjëra njëkohësisht. Po forcojmë industrinë tonë të mbrojtjes, duke prodhuar dy, tre, kater herë më shumë municione së shpejti, për të siguruar që planet tona operacionale të financohen siç duhet në mbarë botën”, tha ai.
Shefi i Pentagonit tha se presidenti Donald Trump po tregohet “i duruar” dhe kërkon të arrihet një “marrëveshje e mirë” që garanton se Irani nuk do të pajiset me armë bërthamore.
Trump deklaroi dje se do të zhvillonte një takim në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi një propozim që synon t’i japë fund luftës me Iranin, duke zgjatur një armëpushim të hershëm të prillit për 60 ditë të tjera, në mënyrë që t’u jepet kohë negociatorëve të arrijnë një marrëveshje të përhershme.
Lufta e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt, ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban, si dhe ka sjellë pasoja ekonomike globale, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë pas kufizimit efektiv të Ngushticës së Hormuzit nga Irani. /atsh/

