
7 vjet mori pagë pa shkuar në punë, arrestohet zyrtari në Kllokot
Një zyrtar i Bibliotekës Komunale në Kllokot dyshohet se ka përfituar pagë pa u paraqitur në punë, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës për mbi 39 mijë euro.
Policia e Kosovës ka raportuar një rast të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në rajonin e Gjilanit.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, më 29 maj 2026, në koordinim me prokurorinë, janë siguruar prova se një i dyshuar mashkull kosovar, i punësuar si zyrtar në Bibliotekën Komunale të Kllokotit, ka përfituar pagë nga Buxheti i Kosovës pavarësisht se nuk është paraqitur në vendin e tij të punës.
Bazuar në dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, i dyshuari dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 39 mijë e 232.218 euro për periudhën 2019–2026, raporton rtk.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
