
Gratë në politikë sfidojnë barrierat
Pavarësisht se për shumë vite politika është konsideruar një fushë e dominuar nga burrat, përfshirja e grave ka sfiduar paragjykimet, ndërkohë që ato i shohim edhe në pozita të rëndësishme në institucione shtetërore.
Megjithëkëtë, pavarësisht përparimit në nivelet më të larta, përfaqësimi i grave në strukturat vendimmarrëse shpesh varet nga kuotat gjinore, ndërkohë që edhe më tej kërkohet përfaqësim i mirëfilltë me meritë. Rrugëtimi i grave në politikë shoqërohet me sfida të ndryshme.
“Fillimisht gratë kanë qenë vetëm dekor apo kanë qenë aty vetëm me emra për ta përmbushur atë kushtin ligjor për të hy e për tu certifikuar në një listë dhe për të qenë pjesë e garës zgjedhore, ndërkaq tani është bukur shumë ka ndryshuar kjo çështje”, tha për RTK, Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-së.
“Unë mendoj që vlerësohen shumë, sepse kur ka linçime publike që dalin kundër grave ajo tregon që gratë po u duken atyre, kandidatëve të tjerë të rrezikshme sepse janë të afta, janë të forta, prandaj gjithë kjo luftë me këto gjuhë seksiste, me këto linçime është bë me të vërtetë e tepërt, mirëpo kjo tregon që kemi gra të forta, kemi gra të guximshme edhe kjo është për me u krenu me të vërtetë”, tha Igballe Rugova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave.
Për rolin e gruas u diskua në punimet e konferencës “Gratë shqiptare në politikë”, ku u nënvizua se sfida kryesore mbetet përfaqësimi i barabartë me meritë dhe mbështetja institucionale përballë barrierave shoqërore
“Ky është një kuvend ndërgjegjeje, një thirrje për bashkim, një kujtesë brezash, është një betim i heshtur se gruaja shqiptare nuk do të mbetet në hije të historisë, por do të qëndroj në qendër të saj dhe do të jap kontributin e vet në zhvillimin e fateve të kombit”, tha Alta Azizi Haluci, kryetare e Aleancës së Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë. /RTK/

