
Barça synon transferimin e Gvardiolit, City i hapur për shitjen e kroatit
Barcelona ka nisur punën për transferimin e mbrojtësit kroat Josko Gvardiol, raportojnë mediat spanjolle.
Reprezentuesi i Kroacisë konsiderohet një nga prioritetet e klubit katalanas për afatin kalimtar të verës.
24-vjeçari, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës dhe në krahun e majtë të mbrojtjes, ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2028. Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e tij në treg arrin rreth 70 milionë euro.
Manchester City e transferoi Gvardiolin nga RB Leipzig në vitin 2023 për rreth 90 milionë euro, duke e bërë atë një nga mbrojtësit më të shtrenjtë në histori. Që nga ardhja në “Etihad”, kroati ka regjistruar 122 paraqitje, 13 gola dhe 10 asistime.
Në sezonin aktual, ai zhvilloi 25 ndeshje, duke kontribuar me dy gola dhe pesë asistime, por një lëndim serioz ndikoi ndjeshëm në vazhdimësinë e tij. Gvardiol iu nënshtrua një operacioni pas një frakture në tibie dhe u rikthye vetëm në fund të sezonit. Megjithatë, ai pritet të jetë i gatshëm për të përfaqësuar Kroacinë në Kupën e Botës.
Raportimet për largimin e mundshëm të Gvardiolit vijnë në një periudhë ndryshimesh të mëdha te Manchester City. Pas largimit të trajnerit Pep Guardiola, klubi anglez mund të përballet edhe me largime të tjera të rëndësishme, pasi emra si John Stones, Bernardo Silva, Rodri dhe Mateo Kovacic po lidhen me transferime të mundshme.
Përveç Barcelonës, interesim serioz për mbrojtësin kroat ka shfaqur edhe Bayern Munich. Klubi bavarez shihet si një konkurrent i fortë në garë, sidomos për shkak të lidhjes së drejtorit sportiv Max Eberl me lojtarin, pasi të dy kanë bashkëpunuar më parë te RB Leipzig.
Mbetet të shihet nëse Barcelona do të jetë në gjendje të përballojë financiarisht një transferim të këtij niveli, ndërsa vera pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme rreth së ardhmes së Gvardiolit.

