
Superndeshje në Ferizaj, Kastrioti i afrohet titullit
Yassine Henahen shënoi gol në minutën e 59-të për 23:22 dhe në minutën e 60-të për 24:22. Në anën tjetër të fushës, Wadi Chebbi bëri pritje të shumta, ndërsa Kastrioti bëri hapin e madh drejt titullit të kampionit.
Kastrioti e mposhti me rezultat 25:23 Rahovecin të mërkurën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Mbi 2000 shikues ishin dëshmitarë të një superndeshje, të një spektakli të vërtetë sportiv.
Kastrioti tani udhëheqë 2:1 në serinë finale të plejofit. I duhet edhe një fitore për ta fituar titullin. Ndeshja e radhës zhvillohet të shtunën në Rahovec, ndërsa ndeshja e pestë eventuale, pas një jave në Ferizaj.
Fillimi nuk premtoi ndeshje dramatike, çfare edhe ishte në fakt.
Vendasit shpejt krijuan epërsi 6:1 e më pas 8:3. Por “vreshtarët” nuk u dorëzuan. U afruan në rezultat dhe pjesa e parë përfundoi 14:11 për Kastriotin.
Mali Luzha shënoi në minutën e 42-të për barazimin 18:18. Egzon Gjuka shënoi për 19:18 në të mirë të Rahovecit e Luzha shënoi tjetër gol për 20:18. Pas barazimit 20:20, Rahoveci kaloi në epërsi 21:20. Mysafirët kishin epërsi edhe 22:21, kurse Gentrit Brahimi shënoi në minutën e 58-të për 22:22. Henahen realizoi penallti për 23:22 e më pas edhe për 24:22.
20 sekonda para fundit Rahoveci u afrua në 24:23 me golin e Granit Kadirit, kurse fare në fund për 25:23 realizoi Jeton Bislimi.
Aloja e djathtë, Henahen ishte më efikasi te Kastrioti me plot 11 gola. Nga katër i shënuan Gentrit Brahimi e Felippe Teixeira.
Por ishte portieri Chebbi që pati një tjetër paraqitje spektakolare.
Me paraqitje të shumta u dallua edhe portieri i Rahovecit, Arti Luzha, por paraqitja e tij mbeti pa u shpërblyer. Egzon Gjuka i shënoi gjashtë gola për Rahovecin, katër Jon Muqolli, sa i kishte edhe Mali Luzha.
Finalja e plejofit sa shkon e bëhet më interesante dhe spektakli tjetër i hendbollit na pret menjëherë të shtunën.

