
Protesta e studentëve në Beograd përfundon me incidente pranë Presidencës
Mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia u mblodhën në Sheshin “Slavija” në Beograd në një protestë të madhe kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq, nën sloganin “Studentët fitojnë”.
Protesta konsiderohet vazhdim i demonstratave që nisën pas tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit 2024 dhe që gradualisht u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë serbe.
Organizatorët kërkuan zgjedhje të parakohshme, luftë kundër korrupsionit, transparencë institucionale dhe përgjegjësi politike. Në protestë morën pjesë studentë, profesorë, aktivistë dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë.
Tubimi përfundoi rreth orës 20:00, ndërsa nga skena në “Slavija” u prezantuan pjesë të programit politik studentor në fushat e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe kulturës.
Studentët deklaruan se zgjedhjet e ardhshme janë “shansi për një pushtet të ndershëm, liri dhe jetë dinjitoze”. Sipas tyre, studentët do të angazhohen në monitorimin e procesit zgjedhor në të gjithë Serbinë.
Protesta u zhvillua në një atmosferë tensionesh të shumta politike dhe polemikash, si dhe pretendimesh për lidhje të disa zyrtarëve të lartë policorë me krimin e organizuar. Gjatë protestës u dëgjuan slogane si “Ose Serbia, ose mafia”.
Pas përfundimit të protestës, pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë ndodhi përplasje mes një grupi demonstruesish dhe policisë.
Sipas raportimeve, disa persona të maskuar hodhën mjete piroteknike ndaj forcave të rendit, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.
Forca të shumta policore dhe automjete të blinduara intervenuan dhe pas një ore përplasjet përfunduan.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se të gjithë personat që sulmuan policinë do të identifikohen dhe do të procedohen sipas ligjit.
Presidenti Aleksandar Vuçiq reagoi nga avioni gjatë udhëtimit të tij drejt Kinës, duke deklaruar se protesta fillimisht u zhvillua në mënyrë paqësore, por dënoi incidentet dhe sulmet ndaj policisë. Ai u bëri thirrje kundërshtarëve politikë për përgjegjësi dhe respektim të ligjit, duke vlerësuar se skenat e dhunës “nuk janë të mira për Serbinë”.
Organizatorët theksuan se protesta përfaqëson vazhdimin e presionit për ndryshime të mëdha politike dhe funksionim më të përgjegjshëm të institucioneve.
Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se 23 persona janë ndaluar për shkak të sulmeve ndaj policisë dhe se gjatë incidenteve janë lënduar edhe disa policë.
Sipas tij, shumë nga personat që morën pjesë në incidentet ishin të maskuar me shalla dhe bluza, ndërsa policia i shpërndau “me përdorimin minimal të forcës”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale dhe mediat lokale janë publikuar edhe pamje ku shihet se disa të rinj janë rrëzuar në tokë gjatë ndërhyrjes së policisë. /rtk/

