
Aston Villa triumfon në Europa League pas 44 vitesh, mposht Freiburgun në finale
Aston Villa ka fituar trofeun e UEFA Europa League 2026, pasi mposhti bindshëm SC Freiburg me rezultat 3-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Besiktas Park” në Stamboll.
Klubi anglez i dha fund pritjes 44-vjeçare për një trofe evropian, duke rikthyer kujtimet e suksesit historik të vitit 1982, kur kishte fituar Kupën e Kampionëve. Futbollistët e drejtuar nga Unai Emery zbritën në fushë me fanella të bardha, në nderim të asaj gjenerate legjendare.
Villa nisi furishëm takimin dhe që në minutat e para rrezikoi portën kundërshtare me Morgan Rogers, por portieri Noah Atubolu reagoi mjaft mirë. Nga ana tjetër, gjermanët patën një rast të mirë me Nicolas Höfler, por tentativa e tij përfundoi jashtë portës.
Ndeshja mori drejtim të qartë në fundin e pjesës së parë, kur anglezët realizuan dy gola brenda shtatë minutash. Fillimisht, Youri Tielemans realizoi pas një skeme të bukur nga goditja e këndit, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë.
Vetëm pak çaste më vonë, Emiliano Buendía dhuroi një supergol, duke goditur bukur nga distanca dhe duke dyfishuar epërsinë e skuadrës angleze.
Në pjesën e dytë, Morgan Rogers vulosi triumfin e Aston Villas me golin e tretë, pasi shfrytëzoi asistimin e Buendías dhe mposhti sërish portierin kundërshtar.
Pavarësisht disa tentativave të Freiburgut për të reaguar, skuadra gjermane nuk arriti të rikthehej në lojë, ndërsa tifozët e Aston Villas festuan trofeun e madh evropian.
Ky ishte triumfi i pestë në Europa League për trajnerin Unai Emery, duke konfirmuar edhe një herë reputacionin e tij si specialist i kësaj gare.

