
Bebe Rexha mbështet studentët shqiptarë në Shkup: Gjuha jonë është identiteti ynë
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për studentët shqiptarë në Shkup, të cilët po protestojnë kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një postim në Instagram, Rexha theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kombëtar dhe vlerat e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, ku shqipja është gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza të tërë kemi luftuar ta ruajmë dhe ta mbajmë gjallë,” shkroi ajo, duke shtuar se studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët.

Në një tjetër mesazh, Rexha nënvizoi se “Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet e saj, ku shqipja njihet si gjuhë bashkëzyrtare. Studentët protestojnë kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe këtë të hënë. Studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët.”
Protesta pritet të zhvillohet të hënën, ndërsa mesazhi i Bebe Rexhës ka shtuar vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protestë të re që do të mbahet nesër, më 18 maj 2026, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkupi, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe. Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale. /rtsh/

